Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço mori pjesë sot në punimet e Forumit Ekonomik të Tiranës II, i cili u zhvillua në praninë e një audience të lartë vendase dhe ndërkombëtare.

Ky është një nga aktivitetet e rëndësishme, që mbahet për të dytin vit radhazi në Tiranë dhe trajton në mënyrë gjithpërfshirëse, në nivelin më të lartë përfaqësues problematikat, sfidat dhe potencialet e ekonomisë shqiptare.    

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë dhe Financës, Anila Denaj, Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, përfaqësues të lartë të Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri, përfaqësues vendas dhe të huaj të shoqatave dhe organizatave që mbrojnë interesat e investitorëve të huaj, drejtues ekzekutiv të kompanive prestigjioze ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në Tiranë etj.

Jaço mori pjesë në panelin e diskutimeve me temë: “Momentum në Zhvillimin e Reformave. Rastet për një qëndrueshmëri makro-fiskale dhe përmirësim i klimës së investimeve”.

Paneli diskutoi mbi masat që Shqipëria duhet të ndjekë në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmëri makro-fiskale dhe të krijojë një kornizë të politikave të investimeve që lehtësojnë bizneset vendase dhe ndërkombëtare. 

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë foli për klimën aktuale të të bërit biznes në Shqipëri si dhe për rëndësinë e krijimit të një ambienti më konkurrues dhe tërheqës për investimet e huaja.

Jaço theksoi se terheqja e investimeve është më e rëndësishme se kurrë për Shqipërinë.  

“Investimet krijojnë tregje të reja pune, mundësi biznesi dhe rrisin konkurencën. Por ato janë bërë edhe më kritike se kurrë, për arsye të reduktimit të pritshëm të 2 projekteve të mëdha TAP dhe Devoll – si dhe pasojave të tërmetit, i cili sipas reagimeve që ne kemi marrë nga anëtarët tanë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve konsumatore si dhe reduktimin e të ardhurave” u shpreh ai. 

Presidenti i AmCham tha se, nisur nga kjo situatë është e rëndësishme që të analizohet se sa e aftë është Shqipëria për të tërhequr investitorë të huaj.

Për këtë çështje, Jaço u ndal tek performanca e Shqipërisë në nivel rajonal sa i përket thithjes së investimeve duke i’u referuar këtu edhe raportit të fundit të Bankës Botërore “Doing Business”,

“Investitori tipik i interesuar për Ballkanin merr një vendim se në cilin nga vendet duhet të vendoset për të mbuluar rajonin. Vendi në të cilin ai vendoset merr dhe pjesën kryesore të investimit.

Nëse shohim renditjen krahasuar me vendet e rajonit:  Shqipëria është e 82-ta në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjës e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lartë. Mali i Zi renditet i 50-ti, Kosova e 57-ta, Serbia në vendin e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Pra, është Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Këtu ne dështojmë.” tha Presidenti i AmCham.

Duke ngritur këtë shqetësim, Jaço tha se është shumë e rëndësishme që pas Reformës në Drejtësi, Shqipëria duhet të hedhë një tjetër hap të domosdoshëm: Reforma për Investimet.

“Reforma për Investimet është e rëndësishme, jo vetëm sepse renditemi të fundit në rajon por ajo është thelbësore për potencialet e mëdha që ne kemi dhe që investitorët mund të shfrytëzojnë. Ne mendojmë se Shqipëria mund të bëhet lider për investimet e huaja në rajon dhe që të bëhet e tillë, kjo reformë është jetike”.

Presidenti i Dhomës Amerikane shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në një koalicion të gjerë organizatash, përfshirë partnerë ndërkombëtarë dhe qeverinë, në mënyrë që Reforma për Investimet të realizohet dhe Shqipëria, të ngjitet në vendin e parë në rajon për investimet e huaja.   

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.

Për me tepër informacion, ju lutem drejtohuni tek zyrat e Dhomës Amerikane të Tregtisë:

Brikena Kamenica

PR & Publications

0 Comments

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CONTACT US

Thank you for your email, we will reply ASAP.

Sending

Log in with your credentials

Forgot your details?